Shkelzen Haradinaj Biografia


SHKËLZEN HILMI HARADINAJ Kolosi i UÇK-së 25.3.1970.-16.4.1999

Shkëlzen Haradinaj (Punimin për dëshmorin Shkëlzen Haradinaj e shkroi eprori i TMK-së, nënkoloneli Faton Mehmetaj.) u lind më 25 mars të vitit 1970 në fshatin Gllogjan të komunës së Deçanit. Rrjedh nga një familje me tradita të larta atdhetare e dalluar brez pas brezi në luftë për liri, sidomos që nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit (1878) e këndej, duke marrë pjesë aktive në të gjitha ngjarjet dhe kryengritjet për liri e çlirim kombëtar.

Babai Hilmiu u martua me Ruke Brahimajn nga Shqiponja (ish-Jabllanica) e Dushkajës dhe kishin dhjetë fëmijë, përkatësisht shtatë djem e tri vajza. Shkëlzeni është fëmija i dytë i pridërve Hilmi e Ruke Haradinaj, të cilët kushtrimit të luftës iu përgjigjën familjarisht. Shtëpia e tyre në Gllogjan ishte njëra ndër bazat më të hershme e më të fuqishme të UÇK-së në mbarë Kosovën.

Kjo familje luftës për liri ia dha katër gjeneralë dhe dy dëshmorë të kombit: Luanin dhe Shkëlzenin. Dëshmori i kombit Shkëlzen Haradinaj shkollën fillore dhe atë të mesme i mbaroi në Irzniq. Ishte i martuar me Syzanë Fetahajn nga Skivjani i Gjakovës dhe la pas vetes dy djem: Shqipdonin dhe Luanin që u lind në flakë të luftës. Shkëlzen Haradinaj është njëri ndër luftëtarët më të hershëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe njëherësh njëra ndër figurat qendrore të kësaj lufte si gjatë veprimtarisë ilegale ashtu edhe pas shpërthimit të luftës frontale.

I shquar për të gjitha vyrtytet që e karakterizojnë kombin shqiptar, për trimëri, urtësi e burrëri luftarake, drejtësi të pashembullt, krenari raciale e qëndresë titanike ishte njëri ndër komandantët më të shquar luftarakë të UÇK-së. Shkëlzeni në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës angazhohet që nga viti 1993 krahas të vëllait Luanit, i cili ishte njëra ndër shtyllat kulminante të UÇK-së në Kosovë, për të cilin 282 bashkëluftëtarët vlerësojnë se ishte ndër ilegalët më meritorë për organizimin e radhëve të UÇKsë. “Luani ishte mbushja dhe zbrazja e UÇK-së”, do të shprehen ata. Madje Shkëlzeni gjatë veprimtarisë ilegale në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka vepruar me emrat e luftës “Skifteri” dhe “Xeni”.

Këso kohe kishte lidhshmëri të punës profesionale me Luan Haradinajn, Adrian Krasniqin, Rexhep Selimin, Mujë Krasniqin, Sylejman Selimin, Zahir Pajazitin, Hashim Thaçin, Lahi Brahimajn, Naser Brahimajn, Kadri Veselin e shokë të tjerë, duke patur një bashkëveprim të fuqishëm me nënzonën e Drenicës, të Llapit etj., ku shpeshherë ka qëndruar e vepruar me detyra lufte. Shkëlzeni ka bashkëvepruar ngushtë në kuadër të Njësitit të UÇK-së së Dukagjinit me të vëllanë Dautin, djalin e axhës Bujarin, Gazmend Mehmetajn, tani dëshmor i kombit, të vëllanë më të madh Ramushin etj., duke dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm, si në furnizimin me armë, në zgjerimin e radhëve të UÇK-së dhe në kryerjen e aksioneve të shumta guerile.

Shkëlzen Haradinaj gjithë veprimtarinë e tij luftarake e zhvilloi në Kosovë dhe për lirinë e saj. Edhe pse i plagosur rëndë disa herë radhazi në luftimet e zhvilluara kundër forcave pushtuese serbe, Shkëlzeni asnjëherë nuk u largua nga Kosova. Edhe me plagë të pashëruara shpeshherë gjendej në vijat e para të frontit. Shkëlzeni ka vepruar një kohë të gjatë edhe me Mujë Krasniqin – Kapuçin, i cili gjatë periudhës së ilegalitetit shpeshherë rrinte me javë të tëra në familjen e Shkëlzeni. Shkëlzeni me bashkëluftëtarët e vet gjatë periudhës ilegale kryen një varg aksionesh kundër patrullave të ushtrisë jugosllave përgjatë brezit kufitar Kosovë-Shqipëri nga drejtimi i Hulajve etj., në periudhën 1995-1998; merr pjesë në sulmet e ndërmarra kundër bazës së policisë serbe në Baballoç dhe në sulmet e ndërmarra disa herë radhazi kundër stacionit famkeq të policisë serbe në Irzniq të Deçanit ku duhet veçuar ato të datave 29 gusht të vitit 1995 kur u vranë dy policë serbë dhe u plagosën 4 të tjerë, si dhe aksionet e datës 24 gusht, 1997, të datës 12 shtator, 1997 dhe 27 nëntor 1997, ku vriten disa policë serbë.

Rënia heroike e të vëllait Luanit, në krye të detyrës në kufirin shqiptaro-shqiptar më 6 maj 1997 nuk e ligështoi. Dhimbjen e ktheu në forcë e forcën në veprim. I bindur se liria nuk fitohet pa gjak, ai e shtoi dukshëm aktivitetin e vet në luftë për liri. Në këtë periudhë, Shkëlzeni luan një rol të veçantë në bartjen dhe furnizimin me teknikë luftarake të njësive të UÇK-së dhe në përcjelljen e ushtarëve që bënin bartjen e armatimit nga Shqipëria në Kosovë dhe anasjelltas. Shkëlezni gjithnjë u ka prirë shokëve. Janë të rralla aksionet guerile, patrullimet në rajonin e Dukagjinit, por më vonë edhe betejat frontale në të cilat nuk ka marrë pjesë Shkëlzeni.

Me të marrë vesh për sulmin e forcave serbe të ndërmarrë kundër Adem Jasharit me familje në Prekaz, në mars të vitit 1998, Shkëlzen Haradinaj me shokë që vepronin në nënzonën e Dukagjinit, vetëm brenda një nate kanë kryer mbi 22 aksione të armatosura kundër bazave policore e paramilitare serbe në rajonin e Dukagjinit. Shkëlzen Haradinaj ishte një luftëtar i devotshëm, që aktivisht veproi në të gjitha etapat e zhvillimit të UÇK-së, duke qëndruar gjatë gjithë kohës në ballë të luftës. Ai u kalit në luftë, duke arritur majat më të larta të organizimit luftarak, që shkëlqeu në të gjitha përballjet me forcat pushtuese serbe.

Dëshmori Shkëlzen Haradinaj në Betejën Heroike të 24 marsit ’98, të zhvilluar në Gllogjan, do të dallohet si organizator e luftëtar i shkëlqyer përkrah vëllezërve Ramushit e Dautit, djalit të axhës Bujarit e luftëtarëve të tjerë, si Gazmend Mehmetaj, Agron Mehmetaj dhe Himë Haradinaj, që do të kenë fatin e madh që të jenë dëshmorët e parë të lirisë të rënë në luftë frontale në Zonën e Dukagjinit. Duhet theksuar se në këtë Betejë të lavdishme në të cilën morën pjesë edhe anëtarët e tjerë të familjes së ngushtë të Shkëlzenit, babai Hilmiu, vëllezërit Enveri e Frashëri, motra Mejremja e bashkëluftëtarë të tjerë, forcave serbe iu shkaktuan dëme të mëdha në njerëz e teknikë lufte, duke i detyruar të tërhiqen me turp pa i realizuar synimet e tyre shfarosëse.

Vetëm Shkëlzeni atë ditë kishte shkatërruar dy blinda, njërën afër shtëpisë së tij e tjetrën tek Ura e Zallit që gjendet në mes të fshatit. Pasi që komandanti Ramush Haradinaj, ishte plagosur rëndë në Betejën e 24 marsit, për një kohë Shkëlzeni do të drejton organizimin e mëtutjeshëm të luftës, duke bërë zgjerimin e vijave frontale fillimisht në fshatrat përreth Gllogjanit për të përfshirë 283 brenda një kohe të shkurtër pothuajse gjithë Rrafshin e Dukagjinit, duke bërë rekrutimin e ushtarëve të rinj, dhe duke i përmbushur kërkesat për armatimin e domosdoshëm.

Pas Betejës së 24 marsit të vitit 1998 së pari u sulmua vija e frontit në Baballoç e Gramaçel më 21 prill 1998, sulm ky që paraqet fillimin e operacioneve të pandërprera të ushtrisë dhe policisë serbe në Dukagjin. Këtu Shkëlzen Haradinaj organizoi një qëndresë të pashembulltë bashkë me bashkëluftëtarët Maliq Ndrecaj, Ilir Foniqin, Naser Morina, Lulzim Morina, Ajet Potera, Fazliun nga Podujeva, Bekim Birinxhikun, Ramiz Batushën (dëshmor), Zenun Matajn (dëshmor) etj. Në luftimet e zhvilluara në Baballç, Shkëlzeni plagoset rëndë në nofullën e majtë dhe në kraharor, për çka i duhet një kohë bukur e gjatë për t’u shëruar pjesërisht. Por, edhe në gjendje të rëndë shëndetësore, Shkëlzeni ishte në krye të detyrës duke u përkujdesur për mbarëvajtjen e punëve në Shtabin Operativ të Rrafshit të Dukagjinit me qendër në Gllogjan.

Pas luftimeve të rrepta gjatë ofensivës serbe të ndërmarrë në fund të muajit korrik 1998 dhe fillimin e muajit gusht 1998, kundër pozicioneve të luftës në gjithë rajonin e Dukagjinit, kohë kjo që SHORRD, po ballafaqohej jo vetëm me makinerinë serbe, por edhe me problemet serioze dhe propagandën disfatiste që po e mbillte Tahir Zemaj me bashkëvepruesit e vet, në kohën kur bijtë më të mirë po luftonin që nga Smolica në Junik, Gllogjan e Shqiponjë, pas plagosjes së vëllezërve Enverit tepër rëndë dhe Dautit më lehtë më 9 gusht 1998 në frontin e Gramaçelit, kur forcat serbe po i afroheshin Shtabit në Gllogjan, Shkëlzen Haradinaj si heronjtë e legjendave shtrëngon plagët dhe gjendet në ballë të frontit për ditë të tëra.

Se Shkëlzen Haradinaj, ishte i pathyeshëm para pengesave e vështirësive të ndryshme, sabotimeve e dezertimeve të nxitura nga armiqtë, se ai ishte përcaktuar me njëmendësi për të luftuar e fituar lirinë e popullit të vet me çdo kusht, tregon edhe fakti se Shkëlzen Haradinaj ishte faktori vendimtar për përballimin e pasojave të ofensivës së shtatorit 1998. Ai ishte këmbëngulës për të qëndruar e luftuar në Kosovë, edhe pas kësaj goditje të rëndë se përndryshe “edhe po të kthehemi me njëqind mijë djem dhe ta çlirojmë Kosovën, ikja nga Kosova do të na shënohet tradhti për tërë jetën”, do të shprehet ai para bashkëluftëtarëve në Broliq.

Me t’u bërë riorganizimi i Komandës së Zonës në muajin shtator, Shkëlzen Haradinaj emërohet nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së Ndihmëskomandant për Mbrojtën Territoriale të ZOD, duke kryer me sukses të lartë të gjitha detyrat e ngarkuara, si inspektimi i pozicioneve luftarake, rregullimi i tyre, përgatitja e zjarrit dhe plani luftarak. Për riorganizimin e radhëve të UÇK-së, zgjerimin e territoreve të kontrolluara nga UÇK-ja dhe organizimin e qëndresës së pathyeshme në të gjitha vijat e frontit, padyshim se meritat më të mëdha i ka Shkëlzen Haradinaj, i cili nuk ka pushuar natë as ditë për të arritur objektivat. Ishte edhe ushtar edhe epror sa herë e kërkoi nevoja.

Në fillim të muajit nëntor 1998, Shkëlzen Haradinajn, SHP i UÇK-së e emëron Ndihmëskomandant për Operacione Luftarake të ZOD, detyrë që e kreu me nder e përgjegjësi të lartë deri në rënien heroike. Shkëlzeni do të plagoset sërish gjatë kryerjes së një aksioni gueril në prapavijë të armikut, më 18 nëntor 1998, në magjistralen Deçan-Gjakovë në rrugën e Dujakës, ku u vranë gjashtë policë serbë. Ai do të shquhet në betejën e zhvilluar në Gllogjan, më 17 dhjetor 1998, ku falë gjeturisë së Shkëlzenit, luftëtarët e Brigadës 131 “Jusuf Gërvalla” me luftë të armatosur arrijnë të çajnë rrethimin dhe të ripozicionohen në Ratishë.

Vijat e frontit në Ratishë të Epërme e Dashinoc, nën drejtimin e Shkëlzenit me bashkëluftëtarët e tij të Brigadave 131 e 134 do të bëhen digë e pakalueshme dhe varr për forcat pushtuese serbe që tani e tutje deri në përfundim të luftës kurrë nuk do të thyhen nga armiku. Për nëntë ditësh me radhë, në acarin e janarit, prej datës 9 deri më 18 janar 1999, luftëtarët e lirisë do të qëndrojnë stoikisht, duke i thyer keq forcat serbe, dhe duke i detyruar të kthehen prapa. Edhe në këtë betejë, Shkëlzeni merr plagë të reja.

Ai do të shquhet edhe në Betejën e Pozharit të zhvilluar prej datës 27 mars deri më 2 prill 1999 me ç’rast forcat serbe që deri atëherë gjendeshin të stacionuara në fshatrat Lumbardh e Pozhar i detyruan të tërhiqen në drejtim të Deçanit. Në këtë përballje të lavdishme forcat serbe patën dhjetëra të vrarë, në mesin e tyre edhe disa oficerë të lartë dhe dëme të konsiderueshme në teknikë lufte. 284 Shkëlzen Haradinaj gjatë ditëve të prillit do të gjendet në ballë të frontit edhe në Gërgoc e Kralan. Ai më 5 prill 1999 do të drejton operacionin për tërheqjen e më se dyzet luftëtarëve të plagosur në drejtim të Istogut.

Edhe pse kolona dy herë ndeshet me forcat armike (në afërsi të Kotradiqit dhe në Osdrim), pararoja e drejtuar në Shkëlzeni me bashkëluftëtarët Dautin, Bujarin, Fatmirin, Agimin, Burimin, Luanin, Shpendin, Florimin etj., arrijnë që t’i eliminojnë ato dhe të vazhdojnë rrugën. Edhe në komunën e Burimit, në Vrellë, Ruhot, Staradran etj., Shkëlzeni do të ndihmojë organizimin dhe përforcimin e vijave të frontit. Pas rrugëtimit njëjavor, luftëtarët e Brigadës 131 “Jusuf Gërvalla” me të cilët zakonisht ka qëndruar e luftuar Shkëlzen Haradinaj, kthehen dhe vendosen në rrethinat e Maznikut.

Rrethimi i hekurt vazhdonte. Më 16 prill 1999, në Malet e Maznikut, në një betejë të ashpër, të zhvilluar gjoks për gjoks e dhëmbë për dhëmbë me forcat serbe për të mbrojtur popullatën civile që ishte e strehuar në vendin e quajtur Duboçak të Bardhaniqit, Shkëlzen Haradinaj bie heroikisht në altarin e Atdheut bashkë me shokët dëshmorë Fatmir Nimanaj, Hasim Halilaj dhe Luan Nimanaj. Luftimet ishin tepër të rrepta dhe zhvilloheshin në afërsi dy-tri metra. Forcat serbe edhe kësaj radhe patën dhjetëra të vrarë. Disa herë radhazi Shkëlzeni me shokë edhe bombat arrin t’ua kthen prapa. Deri në kupë të qiellit jehonte kënga dhe kushtrimi i këtyre trimave të lirisë. Luftonin dhe këndonin pandërprer. Shkëlzenin me fortësinë e shkëmbit, me madhështinë e bjeshkës e qëndresën vigane, nuk e rrëzoi plumbi që e mori në gjoks. Ai ashtu i plagosur e likuidon edhe një armik dhe dikur një plumb e merr në ballë.

Rënia e Shkëlzen Haradinajt, që kishte bërë gjashtë vjet luftë të pakompromis, që kishte kaluar dhjetëra beteja të njëpasnjëshme, ishte humbje e madhe për UÇK-në, familjen dhe mbarë popullin shqiptar. Bashkëluftëtarët nuk e kishin besuar kurrë se mund të vritej Shkëlzeni. Rënia e tij ishte kushtrim për ta çuar luftën deri në fund, gjë që vëllezërit, shokët dhe bashkëluftëtarët e bënë realitet. Më se 400 mërgimtarë që deri atëherë gjendeshin në mërgim, me të dëgjuar për rënien e Shkëlzenit, u nisën drejt luftës në Kosovë.

Shkëlzeni me shokët e tjerë dëshmorë, me nderime të larta ushtarake u varros në Malet e Maznikut, për t’u rivarrosur në Kodrën e Dëshmorëve në Gllogjan më 24 gusht 1999. Batalioni Gardist i Zonës Operative të Dukagjinit, që u formua pas rënies së Shkëlzenit, me nder e krenari e mbajti dhe e mban emrin e Shkëlzen Haradinajt. Pas rënies, Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, për merita të veçanta të treguara në luftë ia dha gradën gjeneralkolonel i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Burimi: ShqiperiaeBashkuar

Shkelzen Haradinaj Biografia

Share

& Comment

0 comments:

Post a Comment

 

Copyright © 2015 Patriotat Shqiptar™.

Designed by MHG.